
Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
Të pranishëm në mbledhje ishin edhe Bledar Dervishaj këshilltar juridik i Presidentit, Petraq Milo këshilltar i Presidentit për Ekonominë dhe Vasilika Vjero zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë.
Kryetari i Komisionit, Anastas Angjeli, deklaroi se diskutimi do të mbështetet vetëm në arsyetimet e ardhura nga Presidenti i Republikës, mbi këtë dekret.
Këshilltari për Çështjet Ekonomike dhe Fiskale në Presidencë, Petraq Milo, theksoi se “argumentet e paraqitura në këtë Dekret janë në tre nivele, nivelin politik, nivelin fiskal dhe në eksperiencat e organizatave që janë të specializuara për këtë pjesë”.
Ndërsa Dervishaj, në fjalën e tij cilësoi se “ky ligj në fakt përbën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë dhe theksoi se situata pandemike ka sjellë efekte negative në secilën fushë të ekonomisë dhe në secilin subjekt në tregun e lirë, dhe gjithashtu se kësaj nisme i mungon transparenca që në momentin që është propozuar, vlerësuar dhe analizimit të kostove”.
Më tej, relatori i çështjes Ervin Bushati u shpreh se “argumentet e sjella nga presidenca nuk kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë por janë argumente të kundërshtimit opozitar, sepse në këtë projektligj janë sjellë edhe efektet buxhetore si edhe synimet kryesore të cilat janë diskutuar në komision”.
Pas diskutimeve, sugjerimeve e komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e rrëzuan me votë dekretin e Presidentit të Republikës.



