
Kura kanë ngelur edhe 7 vendvotime të paprocesuara për të përfunduar procesi i numërimit të votave të rregullta për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, në faqen e KQZ-së përditësimi i fundit është bërë më 12 shkurt rreth orës 22:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka sqaruar sërish se pse nuk janë shfaqur rezultatet preliminare nga 100% e vendvotimeve.
Në platformën elektronike të rezultateve preliminare janë përditësuar të dhënat për 99.72% apo 2,526 vendvotime nga 2,533 vendvotime.
Pra, kanë mbetur pa u procesuar vetëm të dhënat nga 7 vendvotime. Kjo gjë do të bëhet pasi të hapen për numërim kutitë e votimit në të cilat ndodhen formularët e rezultateve të subjekteve politike.
Në njoftimin e KQZ-së, është sqaruar se procesi i numërimit është në vazhdim, dhe të dhënat përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë do të shpallen sa më shpejt që të përfundojnë të gjitha procedurat. Gjithashtu, është njoftuar se do të përditësohen edhe rezultatet preliminare për të gjitha vendvotimet, duke reflektuar përditësime të mëtejshme.
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë ka filluar në qendrat komunale të numërimit në disa qytete, përfshirë Suharekën, Ferizajn, Vushtrrinë, Kaçanikun, Novobërdën, Prizrenin, Shtimen dhe Junikun, ndërsa procesi po zhvillohet në 26 qendra komunale.



