
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot në parlament lidhur me reformën territoriale, duke thënë se Edi Rama ka vendosur ta bëjë pa opozitën, duke votuar njëanshmërisht variantin e përgatitur nga PS.
Berisha u shpreh se, Edi Rama po vazhdon projektin e tij të shpopullimit, ndërsa ka ftuar qytetarët të dalin për të mbrojtur interesat e komuniteteve të tyre.
Ai shtoi se Rama ka parashikuar reduktimin me 25 bashki në vend.
Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë.
Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit. Dhe kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi.
Ndaj dhe unë jam këtu për t’iu drejtuar qytetarëve shqiptarë: ngrihuni në këmbë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve tuaja.
Një protestë qytetare, e pashembullt në 30 vite, mblidhet çdo natë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, bashkojuni kësaj proteste për të mbrojtur interesat më jetike të komuniteteve tuaja. Ishte Edi Rama, i cili urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme.



