Partia Demokratike e konsideron të dështuar Operacioni Forca e Ligjit, përsa kohë në krye të tij është kryeministri Rama. Në një deklaratë nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, tha se kjo nismë do të dështojë njësoj si ligji Antimafia për të goditur pasuritë e krimit.
“Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, jo vetëm nuk u prek dhe nuk u sekuestrua pasuria e asnjë trafikanti droge, të lidhur me pushtetin, por ata morën pasuri publike, miliona euro tendera dhe koncesione. Rasti më flagrant i dështimit të shtetit përballë forcës së krimit është Agron Xhafaj. Vëllai i ish ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk u hetua asnjëherë për pasuritë e tij, megjithëse është i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Agron Xhafaj është i paprekshëm nga ligji, sepse ai dhe vëllai i tij deputet i Partisë Socialiste, i shërbejnë pushtetit kriminal të Edi Ramës”, tha ai.
Paloka tha se kryeministri dhe krerët e policisë duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve:
1. A e ka përfshirë policia vëllanë trafikant droge të Fatmir Xhafës në listën e personave që do t’u verifikohet pasuria?
2. Pse është i paprekshëm Saimir Tahiri, subjekt direkt i ligjit antiKÇK?
3. Kush e pengon policinë të zbatojë ligjin njësoj për të gjithë dhe të verifikojë pasuritë e miqve të dënuar si trafikantë droge të Olsi Ramës dhe Taulant Ballës?
48 orë janë të mjaftueshme për të sqaruar opinionin publik, i cili, në çdo sondazh shprehet në shumicë dërrmuese se nuk i beson qeverisë së Edi Ramës as për të luftuar krimin, as për të luftuar korrupsionin dhe për të rimëkëmbur ekonominë e vendit.



