
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), do tw mbaj sot seancën e caktuar ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbi çështjen “Gërdeci”.
Nga seanca pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë ose jo kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për rigjykimin e ish-ministrit.
Ishte Gjykata e Lartë, ajo që i kaloi çështjen GJKKO-së, duke shpallur mos-kompetencën për gjykim.
Më 6 maj, familja e një 7-vjeçari, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit, ka depozituar në SPAK, 13 vjet pas tragjedisë, kërkesën për ndjekjen penale të Fatmir Mediut.
SPAK-u, pas analizimit mbi pretendimet, si dhe shqyrtimit të dokumentacionit, ka vendosur se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut. Kjo e fundit, e pushuar në vitin 2009.
Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, pranë Tiranës, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 të tjerëve, plagosja e lehtë e 109 syresh, si edhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të mbi 120 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.
Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme, regjistroi procedimin penal në 2008-ën dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.
Në këtë hetim, Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, ka qenë për shkak të imunitetit parlamentar.



