
Ervin Salianji ka mbledhur në një takim disa prej emrave më të votuar të listës së hapur dhe të primareve të Partisë Demokratike.
Gazetari i politikës, Mariglen Kume, për “MCN Live” tha se kjo mbledhje ishte një formë riorganizimi e strukturave, duke sjellë bashkë figurat më të votuara të PD-së në një diskutim të hapur mbi të ardhmen e partisë.
Sipas tij, nuk përjashtohet as mundësia që Ervin Salianji të kandidojë për kryetar partie.
Dje, Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, njeri prej më të votuarve në qarkun e Tiranës, ftuan në një takim informal pjesë të konsiderueshme të atyre që ishin ndër më të votuarit në primaret e PD-së dhe në listat e hapura para 11 majit.
Takimi ishte i qartë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, shumë prej tyre, qoftë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së, qoftë figura me ndikim në zonat e tyre, nuk kanë marrë asnjë sinjal nga partia për drejtimin dhe riorganizimin e saj.
Pjesëmarrësit janë ndër emrat që kanë marrë vota të larta në qarqe të ndryshme dhe që përfaqësojnë meritokracinë brenda PD-së, ndaj edhe kërkojnë qartësi për aksionin politik të partisë dhe hapat drejt riorganizimit të saj.
Në këtë këndvështrim, mbledhja shërben për të adresuar disa shqetësime dhe për të hedhur ide mbi mënyrën se si PD duhet të funksionojë përpara zgjedhjeve të brendshme të vitit të ardhshëm.
Nuk përjashtohet as një kandidaturë e mundshme e zotit Salianji për kryetar partie.



