
Gjatë diskutimeve të sotme në Parlament lidhur me mocionin e debatit të kërkuar nga opozita, mbi votimin e bërë në dhjetor në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria votoi kundër propozimit të Presidentit Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, kryeministri Rama tha se opozita po kërkon t’i largohet asaj që po ndodh në Shqipëri. Rama tha se opozita ka humbur arsyen nga frika e reformës në drejtësi.
“Sot e kërkoni shpëtimin në Lindjen e Mesme, nesër mund ta kërkoni diku tjetër, mjafton të jetë një pikë e globit larg këtij vendi këtu. Ju keni humbur pushtetin, arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin, politika juaj është jerm. Sepse ajo e shkreta dhe e mallkuara reformë në drejtësi që e votuat këtu me dy këmbët në një këpucë, sepse atë vetingun nuk e ndalni dot. Sepse kjo partia këtu që nuk e mundët dot, ju ka futur në një hall shumë të madh dhe e dini se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju s’keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi, siç ishte për sa kohë ku e drejtuat, duke e kthyer shtetin shqiptar në një zhele pa asnjë vlerë”, u shpreh Rama.



