Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi tha në MCN Live se partia “Djathtas 1912” nuk ka asnjë kauzë dhe përbëhet nga njerëz që janë rritur në sqetullën e kryetarit, dhe që formuan një forcë të re politike duke urryer Berishën.
“Kjo parti është shkëputur nga Luli jo nga Berisha. Kur flasim për parime, a mund të ma thoni cili është parimi që u krijua kjo parti? Ka vetëm një, urrejtja apo dëshira për t’i ngjahasuar kryetarit të partisë të zgjedhur në mënyrë demokratike nga partia e cila u shkëput. Nëse i vetmi program dhe kauzë është kush e urren më shumë Berishën, s’besoj se të voton më njeri për këtë gjë. Më thoni një program, një kauzë, një alternativë që t’i hyj diskutimit serioz. Vetëm në Shqipëri krijohen parti për inat të kryetarit. Janë figura që duan t’i ngjahasojnë kryetarit, që kryetari i ka futur në politikë, i ka bërë ministra. Janë figura që janë rritur nën sqetullën e kryetarit, kanë marrë vota, pushtet, dhe mandat në emrin e kryetarit. Janë bërë ministra në emër të kryetarit dhe një ditë të bukur kjo fidanishte që rritet nën sqetullën e kryetarit mendon se mund t’i zërë vendin kryetarit. I futin edhe një 1912-të! Kjo është garë me Ramën. Rama dhe partitë e reja i kanë këto 1912-tën, duan të konkurrojnë me Ismail Qemalin. Deliri shkon deri aty sa mendojnë pas Ismail Qemalit vijnë këta, por s’është çështje mjekre, nëse ke mjekër nuk je Ismail Qemal!”.
Duke komentuar hapjen e grup-kapitullit të parë të Shqipërisë me BE-në, Blushi tha: “Në qoftë se ka sot një përgjegjës për bllokimin e procesit të integrimit dhe përafrimit europian është Edi Rama. Jemi i vetmi vend në Europë që ka vjedhur fondet e BE, të IPARD-it. A duam të afrohemi me BE-në? Të largojmë menjëherë Edi Ramën”.



