
Në pamundësi për të mbajtur fjalën e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të kaosit të Rithemelimit, Presidenti Bajram Begaj e dha përmes një konference nga Presidenca mesazhin që duhet të kishte drejtuar në seancë plenare.
Ai u shpreh se çelja e punimeve të sesionit të ri të Kuvendit, ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë. Në fjalën e tij Begaj pati një apel ndaj partive politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Deputetët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Kuvendi të jetë tempulli i shpalosjes së vlerave më të mira të vendit. Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, student, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën zërin e saj argumentet e saj si dhe përballja në debate me ide dhe argumente. Demokracia është një proces që jetësohet nga përkushtimi për konsolidimin e saj.
Më tej ai shtoi se nuk mund të ketë liri, përparim apo drejtësi sociale pa demokracinë në themel të ndërveprimit tonë. Sipas tij klasa politike ka detyrën që të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve demokratike.
Interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo- ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE. Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejnë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv. Përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës, pa shuar debatin, që institucionet e shtetit të forcohen. Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut.
Begaj kujtoi se sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin, prandaj ai tha se koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më.
Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të ri-orientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë stategjik SHBA. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne, shqipëtarët, i kemi sytë nga ju. Përveç rolit të ligjbërësve, ju keni rolin e rëndësishëm të krijimit të modeleve në shoqëri. Jam i vetëdijshëm se agjenda politike e këtij sesioni kuvendor është e mbushur me sfida. Siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, rritja e mirëqenies për të gjitha shtresat e popullsisë, demografia, mjedisi, drejtësia sociale janë sfida që kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi. Koha nuk pret. Pritshmëritë e qytetarëve duhet të jenë standardi që ju udhëheq në çdo hap të punës tuaj. Unë jam i bindur, se mundësitë dhe kapacitetet që dispononi përmbushin nevojën për t’u dalë zot fateve të një vendi që ka dëshmuar se në 30 vitet e fundit zotëron një energji të pashtershme për transformim.



