
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për çështjen e kufijve dhe idenë e hedhur nga Presidenti i Kosovës. Ndonëse nuk ka marrë një qëndrim pro ose kundër, Rama tha se kjo është një çështje me një peshë të jashtëzakonshme.
“Besoj që nuk bëhet fjalë për një çështje të ditës, bëhet fjalë për një çështje të historisë sonë të përbashkët por ku i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve te të Kosovës të punojnë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarët që më takon të flas dhe të bëj komentatorin, ndërkohë që nga njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide por jo mbi një platformë dhe nga ana tjetër si përfaqësues i qeverisë së Shqipërisë ndiej detyrimin të respektoj Kosovën dhe autoritetet e saj", tha Rama në Open me Eni Vasilin.
I pyetur nëse ka folur me Presidentin Hashim Thaçi, ai është shprehur se ka folur me shumë figura politike që janë pjesë vendimmarrëse për këtë çështje, por pa specifikuar se çfarë është vënë në qendër të bisedës.
A jeni pro apo kundër ndryshimit të kufijve? Çfarë do të thotë të jesh pro? Apo kundër?
"Do të thotë të jesh pro ose kundër të një ideje që është shumë pak… mund të jetë një ide për të nisur një debat, por kjo nuk është një arsye për t’u ndarë. Mendoj se në këtë proces të gjithë ata që kanë eksperiencë, dije apo ide, duhet të kontribuojnë. Këto që po dëgjojmë nuk janë kontribute por një kakofoni. Kam folur me një pjesë të madhe me politikanet e Kosovës, por edhe më të tjetër që janë pjesë e kësaj bote vendimmarrëse, qofshin partnerë amerikane, etj., dhe unë kam ndjesinë që ne jemi para një shansi historik dhe të kuptojmë sesi duhet të qasemi”, vazhdoi më tej kreu i qeverisë.
I pyetur nëse keni folur me Vuçiçin? Kryeministri tha, “Reduktim i i debatit në këtë pikë është banalitet. Ne si shqiptarë duket të kemi një qasje politike. Dialogu në vetvete me Serbinë është një copë e madhe politike që ne duhet të jemi në gjendje ta përtypim me unitet dhe dinjitet".



