Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë këtë të martë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Veliaj ka ankimuar vendimin e 1 shkurtit të dhënë nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila vendosi vijimësinë e arrestit me burg. Ai ka kërkuar një masë më të butë sigurie, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo alternativë tjetër ndaj masës aktuale.
Apeli do të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lirohet nga qelia. Kërkesa e tij vjen pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja argumenton se në këtë fazë proceduriale nuk ekziston rreziku i prishjes së provave.
Në seancat e mëparshme, Veliaj ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, duke theksuar se ende nuk është njohur me dosjen hetimore.
Ai ka refuzuar gjithashtu avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata, duke kundërshtuar çdo veprim të saj, me argumentin se përfaqësimi nuk përputhet me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim pesë muaj më parë, duke ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me përfitime të parregullta monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që më pas kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Në të njëjtën çështje është nën akuzë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila dyshohet për korrupsion pasiv në nëntë raste, si edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.



