Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që tre të arrestuarve dje për keqpërdorim të rezervave shtetërore të iu caktohet masa e paraburgimin për një muaj.
Tre të dyshuarit janë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi.
Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve pas kërkesës për caktim të paraburgimit, nga ana e Prokurorisë speciale në Gjykatën në Prishtinë.
Ndryshe gjatë mëngjesit të së premtes, pas një muaji të përgjimeve që u etiketuan si “afera e vajit dhe e grurit”, Policia e Kosovës kreu bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Fillimisht, bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore, respektivisht të vajit dhe të grurit.
Gara dhe Lipovica dëgjohen në disa audioincizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë.



