
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, propozon si zgjidhje për situatën e krijuar në kufi me Greqinë testimet falas me të gjitha kapacitetet. Shehu thotë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria “Rama” dhe nuk mund të zgjidhet me marrëveshje të përkohshme, që rikthejnë normalitetin, aq sa mund të quhet i tillë, në mënyrë të përkohshme.
“Situata në përkeqësim aty, që ka si arsye keqmernaxhimin e pandemisë prej tij duke na futur në një krizë të rëndë shëndetësore e izolim, të identifikuar si “Delja e zezë Covid” në Europë, kërkon një zgjidhje afatgjatë e jo vetëm për 24 orë! Një nga shkaqet kryesore të kësaj është numri i ulët afrikano-qendror i testimeve dhe bllokimi me dhunë si talebanët i laboratorëvë për shumë muaj, duke krijuar një dëm të pallogaritshëm në nivelin shëndetësor dhe izolimin e vendit, që, tani, duhet kohë për t’u rikuperuar”, shkruan Shehu.
Shehu, i cili ka mbajtur vite më parë edhe postin e ministrit të Jashtëm, thotë se, për të stabilizuar disi gjendjen në kufirin me Greqinë, qeveria jonë duhet të organizojë me urgjencë dhe në marrëveshje me palën greke:
—Testimin e vazhduar PCR, 24 orësh direkt në të katër pikat kufitare, duke aktivizuar te gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike apo dhe të tjera të kontraktuara nga jashte, sic bëhet kudo në botë.
Ky duhet të jetë propozimi i parë i yni ndaj palës greke, e cila cdo ditë po realizon për shqiptarët në kufi më shumë testime sesa shteti ynë bën në të gjithë vendin, pikërisht për të përmirësuar gjendjen aktuale e për të filluar lehtësimin e regjimit të kalimit të qytetarëve tanë në tërësi jo vetëm drejt Greqisë, por më tej dhe vendeve të tjera.
—Gjithashtu është i domosdoshëm edhe realizimi në nivel vendi minimalisht të 2 500 testeve të tjera PCR ditore gratis, përveç disa mijëra serologjike.



