
Pas ringritjes ekonomike, Greqia po synon të rimarrë ndikimin që kishte në Ballkan. Në studion e MCN TV, pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emilio Çika, thotë se edhe pse ngadalë, Greqia po rifiton terrenin e dikurshëm në rajon.
Greqia ka humbur ndikimin në Ballkan pas krizës së 2008-s. Pas 2008-s, Greqia ra në stanjacion ekonomik. Nën mbikëqyrjen e trojkës, çdo lëvizje e saj diktohej. Megjithatë, tani ka dalë në tregjet ndërkombëtare dhe po përpiqet të fitojë ndikimin në rajon. Ajo po përpiqet të rimarrë ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Para krizës ka pasur rreth 2500 nëndegë të bankave të saj, duke siguruar pothuajse 20% të tregut bankar. Por detyrimet nga trojka përfshinin rikapitalizimin e bankave. Në këtë proces është edhe tërheqja e bankave, siç ndodhi edhe në Shqipëri. Por sot Greqia është sërish në një proces ekspansioni të ngadaltë, por të qëndrueshëm.
Sa i takon njohjes së Kosovës nga Greqia, Çika tha se de fakto ajo tani është realitet.
Politika e jashtme greke ka qenë krahasimisht me vende të tjera që nuk e kanë njohur, shumë më dashamirëse. Ka një njohje de fakto. Vizitat e shpeshta në nivele të larta tregojnë që Greqia dhe Kosova janë në rrugë të mbarë. Njohja de jure kalon në disa stade.



