Eksperti i ekonomisë Pano Soko, në ‘MCN Live’, ka ngritur shqetësime të forta mbi funksionimin aktual të institucioneve demokratike në vend, duke vënë theksin te dobësimi i rolit të parlamentit dhe raporti i tij me ekzekutivin.
“Shiko, praktikisht, këtu ka pasur një gërryerje të vit pas viti të rëndësisë së institucionit të parlamentit. Pra, është kthyer praktikisht në një noterizues të vendimeve të qeverisë,” u shpreh Soko, duke shtuar se raporti institucional është përmbysur në favor të qeverisë.
Sipas tij, parlamenti jo vetëm që nuk ushtron kontroll mbi ekzekutivin, por shpeshherë edhe injorohet në praktikë.
“Në fakt, sot që flasim, parlamenti jo vetëm që urdhërohet nga qeveria, por edhe injorohet tashmë,” tha ai, duke përmendur gjithashtu mungesën e kryeministrit në debatet parlamentare.
Soko theksoi se kjo situatë ka krijuar një kulturë institucionale të dobët, ku edhe vendimmarrjet e rëndësishme nuk trajtohen me peshën e duhur.
“Ka një kulturë injorimi disa vjeçare, ku edhe kur diskutohet një raport shumë i rëndësishëm… ai shpesh nuk merret seriozisht,” u shpreh ai, duke iu referuar edhe raporteve ndërkombëtare për klimën e investimeve.
Duke folur për raportin mes qeverisë dhe investimeve, Soko nënvizoi se problematika lidhet me zbatimin e ligjeve dhe jo vetëm me kuadrin ligjor.
“Raporti nuk bën vlerësim për ligjet apo kuadrin ligjor, por për mënyrën e zbatimit të tyre. Dhe institucioni përgjegjës për ekzekutimin është qeveria,” tha ai.
Në fund, ai ngriti shqetësime edhe për mungesën e pasojave institucionale për mosfunksionimin parlamentar dhe për situatën e sektorit të bujqësisë, duke e cilësuar atë të lënë pas dore në politikat shtetërore.
“Fermerët nuk kanë nevojë për retorikë, por për lekë dhe ndihmë institucionale. Ata kanë nevojë për mbështetje reale. Rama e urren bujqësinë, madje te gjithë prodhimin në tërësi” përfundoi Soko.



