Në Tiranë ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Shefqet Kuka”. Kryebashkiaku Erjon Veliaj premtoi se investimet nuk do të ndalen pavarësisht fushatës elektorale. Madje ritmi do të vazhdojë edhe gjatë sezonit të pushimeve verore.
"Mbaj mend, jo vetëm në fushatë, po edhe para 6 muajve, kjo ishte një zonë e ngjashme me shumë vende që i kemi parë në dokumentarët për Afrikën. Kur binte shi balta bëhej deri në gju, kur kishte diell pluhuri të zinte fytin”
Ai deklaroi se investime të tilla janë tregues se Bashkia e Tiranës punon me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën cilësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, si në qendër, ashtu edhe në periferi.
“Me sheshin ‘Skënderbej’ që e hapim në 10 qershor japim sinjalin e parë të një Tirane moderne. Por, nuk kemi lënë pas dore asnjë zonë të periferisë, që cilido që rritet në Tiranë të jetë një fëmijë që rritet në një ambient të pastër, të jetë një familje që ka akses në shërbime dhe të jetë një komunitet ku secili përfiton nga investimet e bashkisë dhe jo siç ndodhte më parë, kur investimet ndaheshin në në varësi si kishin votuar qytetarët”
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje për ruajtjen e investimeve publike si një pasuri e përbashkët.



