
Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë e ka nisur me Shqipërinë turin e tij katër ditor në disa vende të Ballkanit.
Së bashku me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, ata mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat, ku u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, për të cilat u tha se duhet të kalojnë në një stad më lart në shkëmbimet ekonomike.
Mes disa pika bisedimesh, u nënvizuan bashkëpunimi mes vendeve si edhe pastrimi nga organizata FETO, e etiketuar si terroriste nga Turqia.
Kjo e fundit veçanërisht, siç tha edhe ministri Fidan, e shqetëson shumë Turqinë, ndaj edhe i ka kërkuar Shqipërisë për “pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO-s” në vend.
Diskutuam me kolegun dhe për tema të tjera si lufta kundër terrorit apo cështje të tjera rajonale. Diskutuam në lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje.
Diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë.
Gjatë konferencës, Fidan bëri me dije se brenda vitit 2024, pritet që të zhvillohet këshilli i parë i partneritetit strategjik mes dy vendeve, një platformë e rëndësishme sipas tij për Turqinë dhe Shqipërinë. Këtu, ai shtoi edhe se shpreson që tregtia mes vendeve të arrijë në 2 miliardë dollarë së shpejti.
Teksa, Hasani, duke vlerësuar vizitën e parë të Fidan në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Turqisë, veçoi bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.
Ai shtoi se Turqia i është gjetur pranë Shqipërisë në ditët më të vështirë, përfshi edhe pas tërmetit dhe pandemisë.
Bashkëbisedim ka pasur në fushën e bashkëpunimit, atë ekonomike dhe tregtare, ku pritet të hyjë në fuqi edhe një marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.
Investimet turke në Shqipëri, sipas Hasanit, arrijnë në 3.7 miliardë euro. Megjithtë, sërish, kjo shifër nuk e reflekton realisht raportin e ngushtë mes shteteve.
Hasani gjithashtu vlerësoi Turqinë për mbështetjen që ka dhënë në njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Ndërsa, Fidan, kërkoi që kapacitetet që dy vendet kanë të zhvillohen edhe më tej, ku ngulmoi edhe për angazhim të mëtejshëm të bizneseve turke në Shqipëri.



