Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Admir Shabani, të mërkurën është shprehur se po mundësohet krijimi i ekipeve të veçanta të këshillave zgjedhorë, të cilat do të përbëhen nga mjekë të punësuar në sistemin shëndetësor vendas.
I ftuar përmes një lidhje me Skype në edicionin informativ të lajmeve në televizionin TVT, Shabani theksoi se këshillat zgjedhore në përbërje të tyre do të kenë njerëz të specializuar të cilët e njohin mirë procesin e mbrojtjes personale për sa i përket sëmundjes.
“Kjo do të thotë se KSHZ-ja nuk do të lejojë që organet e përhershme zgjedhore, siç është fjala për komisionet komunale të zgjedhjeve dhe këshillat zgjedhorë që të marrin një hap të tillë, por këtë votim t'a kryejnë personat e specializuar mjekësorë, të cilët do të specializohen rreth procedurës së votimit”, theksoi ai për TVT-në.
Pyetje: A mendoni se në kushtet e pandemisë do mund të garantohet një proces normal zgjedhor. Kemi parasysh këtu se në Maqedoninë e Veriut shifrat e prekurëve dhe viktima janë ende të larta?
Shabani: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i detyruar të mbajë zgjedhjet edhe në këto kushte dhe detyra jonë është të japim maksimumin në mënyrë që të sigurojmë dhe të mbrojmë shëndetin e qytetarëve, të cilët do t’u drejtohen kutive të votimit. Po bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme që kjo të realizohet, duke pasur parasysh edhe lëshimin e akteve tona nënligjore dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, me qëllimin për të realizuar rregullat dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës. Ne vazhdojmë të ndjekim të gjitha rekomandimet e autoriteteve vendore të shëndetësisë, por edhe ato që rekomandojnë autoritetet botërore të shëndetësisë dhe mendoj se në fund të këtij procesi ne do ja dalim, duke ndjekur me përpikmëri të gjitha masat mbrojtëse.
Pyetje: Çfarë masash parashikon protokolli i posaçëm i miratuar me rastin e zgjedhjeve të datës 15 korrik. Si do të garantohet mospërhapja e Covid-19?
Shabani: Për momentin te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë ardhur rekomandime nga Komisioni për Çështjet e Sëmundjeve Infektive dhe presim që brenda këtyre ditëve të vijnë edhe protokollet e ashtuquajtura dhe në bazë të këtyre rekomandimeve janë disa etapa sipas të cilave KSHZ-ja duhet t’i fokusojë dhe të ndryshojë aktet dhe rregullat e lojës në këtë situatë. Kryesisht rekomandohet mbajtja e vazhdueshme e maskave, dorezave dhe dezinfektimi i duarve dhe qendrave të votimit gjatë procesit të votimit.
Në bazë të këtyre rekomandimeve KSHZ-ja po merret me gjetjen e vendvotimeve të përshtatshme që do kenë hapësirë të madhe dhe ku do të mundësohet një proces votimi sipas standardeve dhe protokolleve të përcaktuara shëndetësore.
Pyetje: Data 13 është vendosur për votimin e të prekurve me Covid-19, si do të veprohet dhe a nuk ekziston shqetësimi për një shpërthim edhe më të madh të koronavirusit?
Shabani: Po realizohet bashkëpunimi me institucionet përkatëse, një prej tyre është edhe Ministria e Shëndetësisë, ku KSHZ do të mundohet të krijojë ekipe të veçanta të këshillave zgjedhore, të cilat do të përbëhen nga mjekë të punësuar në sistemin shëndetësor. Pra, do jenë njerëz të specializuar të cilët e njohin mirë procesin e mbrojtjes personale për sa i përket sëmundjes. Ndërsa, më vonë do të ndiqen edhe trajnime të posaçme se do t’i zbatojnë zgjedhjet. Kjo do të thotë se KSHZ-ja nuk do të lejojë që organet e përhershme zgjedhore, siç është fjala për komisionet komunale të zgjedhjeve dhe këshillat zgjedhorë që të marrin një hap të tillë, por këtë votim t'a kryejnë personat e specializuar mjekësorë, të cilët do të specializohen rreth procedurës së votimit.



