
Vajza e bashkëshortes së kryeministrit Rama, Rea Xhillari ka kallëzuar në Gjykatën e Tiranës, kreun e PD, Sali Berisha dhe 6 deputetë të tjerë demokratë. Deputetët Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, janë paditur për cenimin të personalitetit dhe reputacionit nga përhapja e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.

“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.
Kujtojmë që Xhillari është akuzuar vazhdimisht nga përfaqësues të Partisë Demokratike se ka përfituar tendera publikë.



