
Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ishte sot në qendër të akuzave nga krymeministri Edi Rama, gjatë një takimi të tij elektoral në Shkodër. Ademi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, për akuzat e këtij të fundit se në Shkodër s’ka gjetur bashkëpunimin për zhvillimin e projekteve të ndryshme.
Por Ademi, në një prononcim për gazetarët, tha sot se i ka dërguar qeverisë plot 60 projekte për Shkodrën, dhe asnjë prej tyre s’është financuar nga pushteti qendror. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo premtoi ndëshim të paparë në histori për Ramën duke u kërkuar qytetarëve që të votojnë masivisht më 25 prill.
“Edi Rama bredh nëpër Shqipëri me të vetmen alternativë që i ka mbet, sulmet ndaj opozitës, pas 8 vite dështimesh, pa asnjë bilanc konkret dhe arritje, Edi Rama i lodhur dhe i pashpresë, mundohet të hedhë baltë mbi PD. Sot nga Shkodra ai më sulmoi me gjuhën dhe fjalorin që vetëm ai njeh, atë të fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët më të errëta arrogancën e pushtetit. Edi Rama duke më sulmuar mua dëshmon frikën. Njeriu që s’ka mbajt asnjë premtim, sot sillet rrugëve të vendit e lodhet më kot. E ka të qartë se në 25 prill do të largohet me votën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Më 25 prill Rama dhe arroganca e tij do të largohen përgjithmonë.
Kolegët e mi të dashur, media që keni ndjekur nga afër aktivitetin tonë. Rama e ka zor të përballet me mua, gjatë 6 viteve mbi 60 projekte janë dërguar dhe asnjë nuk është financuar nga qeveria Rama. Na ka mbytur korrupsioni, investitorët s’mund të vijnë në Shkodër apo Shqipëri, janë 4-5 veta që kontrollojnë gjithçka. Dhe ato 50 projekte që unë përmenda, që s’i ka financuar asnjëherë ai, i kemi financuar ne, partnerët e huaj”, u shpreh Ademi.



