Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes deputetes Erisa Xhixho, ka njoftuar për nismën që lidhet me regjistrin e të dënuarve për krime seksuale, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të bëra publike ku viktima janë fëmijë të mitur.
“Vetëm gjatë periudhës prej 1 Janarit 2019 deri më 1 Qershor 2020, 66 fëmijë kanë rënë pre-e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo janë dhunuar seksualisht nga familjarë të tyre, 3 prej tyre (vajza) janë vetëvrarë. Ndaj kam dorëzuar në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale”.
Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale, thekson Xhixho do të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.
Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho tha se ky regjistër do të shërbente për monitorimin e ‘grabitqarëve seksualë’. Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë.
“Në hartimin e këtij projekt-ligji janë marrë për bazë eksperiencat më të mira nga një sërë vende të Bashkimit Evropiane dhe atyre të rajonit. Regjistri i mundëson Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë grabitqarët seksualë, pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat personale, vendbanimin, rrethin shoqëror, komunikimet, veprimtarinë dhe punën e tyre”.
Përmes këtij regjistri, Xhixho, tha se krimet seksuale duhet të ndëshkohen dhe grabitësit seksuale nuk duhet të bredhin rrugëve të lirë
“Grabitqarët seksual të fëmijëve tashmë nuk do të bredhin më të lirë rrugëve të qyteteve dhe fshatrave tona!
Lagjet dhe komunitetet tona do të jenë më të sigurta . Krimet seksuale kanë nevojë urgjente të ndëshkohen dhe grabitqarët seksuale të fëmijëve apo grave të vendosen në monitorim nga organet e ligjit.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për të forcuar zbatimin e ligjit, forcimin e të gjitha institucioneve duke filluar nga ato arsimore, të policisë dhe deri tek hetimi me profesionalizëm i denoncimeve të krimit, te gjykimi i drejtë, i paanshëm dhe ndëshkimi me gjithë forcën e ligjit për këdo abuzues seksual.
Ndaj, ftoj çdo deputet, parti politike që ta miratojë këtë projektligj si një domosdoshmëri akute për shoqërinë tonë.
Në ditët në vazhdim do të organizoj takime, tryeza diskutimi me të gjitha grupet e interesit për të dëgjuar nga afër mendimet e tyre për këtë nisëm .
Gjithashtu, do të uroja në bashkëpunimin e të gjitha mediave për ta kthyer këtë çështje në temën e ditës në studiot e tyre e për të qenë të gjithë bashkë për të mbrojtur fëmijët, gratë, vajzat e vendit tonë nga ngacmimet seksuale dhe çdo lloj forme të dhunës ndaj tyre.
Ky ndryshim nuk bëhet vetëm nga një person apo nga disa por bëhet nga të gjithë për t’i thënë NDAL këtij fenomeni të tmerrshëm që po prek shoqërinë tonë“.



