Foltorja e një dite më parë e Partisë Demokratike, u konceptua nga drejtuesit e partisë si një lloj qëndrese.
Gazetari Mariglen Kume raportoi për MCN Live, se prej disa javësh, të hënave drejtuesit e Partisë Demokratike dhe mbështetës të tyre, dalin në protestë para kryeministrisë.
Kërkesa kryesore është dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe më tej hartimi i reformës territoriale dhe asaj zgjedhore. Më tej synohet të kalohet në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të organizohen nga qeveria teknike.
Kërkesat e Partisë Demokratike janë të ngjashme dhe me kërkesat e “Shqipëria bëhet” e cila proteston prej afro një muaji, por që nuk po gjejnë pikë takimi për t’u bërë bashkë.
Nga ana tjetër ditën e premte Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë ku do të përfshihen të gjitha partitë që janë në opozitë si ato parlamentare dhe ato joparlamentare, për të bashkërenduar qëndrimin e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se institucionet e partisë do mblidhen brenda javës.
Do të mbahet dhe tryeza e partive aleate, ku do të diskutohet edhe bashkimi, edhe protesta, edhe rrëzimi i kësaj narkoqeverie të kapur me korrupsion dhe me krimin, por edhe qeveria teknike.



