
Kosova ka tërhequr kërkesën për statusin e mysafirit special nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kjo kërkesë ishte paraqitur për shqyrtim në takimin e sotëm, por u hoq nga rendi i ditës në fillim të seancës.
Këshilli i Evropës ka konfirmuar se në hapjen e mbledhjes së tij në Paris, Komiteti për Politikë i Asamblesë Parlamentare vendosi të heqë pikën numër 5: "Kërkesa për statusin e mysafirit special nga Kuvendi i Kosovës."
Asambleja Parlamentare mund të ofrojë statusin e mysafirit të veçantë për parlamentet kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të marrin pjesë në Asamblenë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Ata mund të mbajnë fjalim me lejen e presidentit të Asamblesë.
Kosova kishte dështuar të anëtarësohej në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak të kushteve të vendosura, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.



