Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN se ai nuk është shkarkuar nga Lulzim Basha, por ai dhe të tjerët u vetë-shkarkuan në datën 11 dhjetor me pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Ne u vetë-shkarkuam në Kuvendin e 11 dhjetorit për të ndryshuar statutin e PD dhe ndaluar funksionimin e strukturave drejtuese. Ajo që ndodhi në Këshillin Kombëtar ishte qesharake. Ka bërë shkarkim kot se ne ishim shkarkuar një ditë më parë.
S’kishte as kuorum. Dhe rezultati doli sikur 4 veta ishin kundër, po 13 veta më morën mua në telefon më thanë që ne votuam kundër. Ajo zyrë merr max 150 veta dhe Këshilli ka 484 anëtarë. Dy gjëra që i kërkoja Bashës prej kohësh ishte zvogëlimi i Këshillit Kombëtar dhe Kuvendit sepse këto janë bërë me ato nr pikërisht që të mos arrijnë të mblidhen.”, u shpreh Paloka.



