
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, për raportin e DASH thotë se bën një radiografi të situatës për të parë se ku janë problemet dhe vështirësitë, ku duhen adresuar dhe zgjidhur.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se raporti në tërësi është shumë negativ për situatën në Shqipëri dhe konstaton probleme shumë të rënda që kanë të bëjnë me sistemin qeverisës, pushtetin gjyqësor dhe mediat.
Pavarësisht se gjyqësori duhet të jetë i pavarur, disa plagë nuk e kanë lejuar që të jetë i pavarur.
Sipas DASH, kapja politike, korrupsioni, frikësimi dhe burimet e kufizuara nuk e kanë lejuar pushtetin gjyqësor të veprojë në mënyrë të pavarur.
Sistemi gjyqësor është nën kontrollin politik të mazhorancës.
Prapë sistemi gjyqësor sipas DASH vuan nga korrupsioni. DASH thotë qartë se sistemi gjyqësor ka vuajtur nga frikësimi.
Si mund të frikësohen gjyqtarët dhe prokurorët? Nuk i frikësojnë dot palët, qytetarët.
Gjyqësori frikësohet ose nga qeveria ose nga krimi. Ky është një problem shumë i madh që ka sistemi i drejtësisë.
Frikësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri nuk ka qenë problem endemik.
Por kapja dhe frikësimi si mund ta bëjnë efiçent një sistem gjyqësor?
Lidhur me personelin gjyqësor që funksionon me gjysmën e personelit, prej vetingut, ai tha se është e pashmangshme që t’i shpëtojë problemeve dhe korrupsionit.
Sipas tij, reforma në drejtësi ka dështuar dhe se duhet filluar se si duhet rregulluar sistemi, pasi mekanizmat e reformës nuk e bënë të pakorruptueshëm dhe të pavarur.
Muçi ngriti si shqetësim burimet e kufizuara dhe në këtë drejtim tha se tregon se nuk ka vullnet qeveria.
Një vend pa sistem drejtësie të pavarur dhe efiçent e ka të vështirë të luftojë korrupsionin.



