
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike, mes të dyja palëve.
Në takimin që pati sot me kryeministrin Albin Kurti, Jens Stoltenberg bën të ditur se NATO, mbështet përpjekjet për të riaktivizuar bisedimet me Prishtinës dhe Beogradit.
”Mirëprita Albin Kurtin, për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe rëndësinë e NATOs dhe KFOR-it, për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. NATO mbështet përpjekjet për të riaktivizuar bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike”.
Kryeministri Albin Kurti nga ana e tij, ka shkruar në Twitter se anëtarësimi i Kosovës në NATO e bën rajonin dhe Evropën më të sigurt.
“NATO është aleanca më e madhe e sigurisë që bota ka parë ndonjëherë. Me Sekretarin Gjeneral, Jens Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të mbajtur paqe dhe siguri si dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO e bën rajonin dhe Evropën shumë më të sigurt”, ka shkruar Kurti.
09:56h- Kurti sot në Bruksel takohet me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tash e dy ditë po qëndron në Bruksel për një vizitë zyrtare.
Gjatë ditës së sotme Kurti do të ketë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kështu është bërë e ditur nga një njoftim i lëshuar në faqen zyrtare të NATO-s.
“Të Enjten, 29 Prill 2021, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg, do të takohet me Z. Albin Kurti nga Kosova në Selinë e NATO-s” thuhet në njoftim.
Kurti gjatë ditës së djeshme është takuar me kryeministrin belg, Aleksander De Croo, pastaj me komisionarin e BE-së për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Janusz Wojciechowski dhe komisionarin për Drejtësi, Didier Reynders dhe shumë krerë të tjerë të institucioneve të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti në takim me Lajçakun ka thënë se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Dhe se duhet të pranohet realiteti e të jetë i barabartë dhe t’i adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijoj çështje të reja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti poashtu dje nga Brukslei ka thënë para mediave se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.



