“Bashkëpunimi mes Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë do të thellohet edhe më tej sidomos në fushat e edukimit, trajnimit dhe të ushtrimeve të përbashkëta mes ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së”, theksoi sot ministri për FSK-në Rrustem Berisha.
Gjatë një takimi pune me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, ministri Berisha e falënderoi ambasadorin Minxhozi dhe nëpërmjet tij ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për pritjen e ngrohtë që iu bë gjatë vizitës në Shqipëri.
Më pas ministri Berisha u shpreh se “Kosova, përkatësisht MFSK-ja po pret angazhimin e Shqipërisë për inkuadrimin e Kosovës në nismat regjionale të sigurisë, e cila me përvojën e saj do ta ndihmojë edhe në fushën e integrimeve euroatlantike”.
Ministri Berisha e njohu ambasadorin Minxhozi rreth procesit të transformimit të FSK-së në FAK, proces i cili, siç tha ai, kërkon angazhimin e faktorëve relevantë të brendshëm në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës.
Ambasadori Minxhozi e uroi ministrin Berisha për detyrën e re, dukenënvizuar se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MFSK-së, si dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët në të mirë të sigurisë së dy vendeve tona, rajonit dhe më gjerë.
Ambasadori Minxhozi, në fund të takimit, paralajmëroi edhe vizitën e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë znj. Olta Xhaçka, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor.



