Vitin e ardhshëm edhe në Kosovë do të nisë procesi i vetingut.
Në mbledhjen e sotme qeveria prezantoi draft dokumentin për reformën në drejtësi i cili do të bazohet në amendamentet kushtetuese por mund të kërkojë edhe ndryshime ligjore.
“Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokuruorial të veprojë drejt është e nevojshme që në të gjitha nivelet të ketë njerëz profesionistë dhe me integritet.”, tha kryeministri Albin Kurti.
Ndërkaq ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se procesi do të marrë të paktën pesë vjet kohë.
Sipas saj, vetingu në drejtësi do të nisë vitin e ardhshëm, gjithashtu iu bëri ftesë për takim edhe grupeve parlamentare për arritjen e një konsensusi për ndryshimet kushtetuese.
“Gjatë kësaj periudhe kohore planifikoj t’i bëjë ftesë të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për takim, me qëllim të ndërtimin e konsensusit për reformën e thellë në drejtësi dhe anën tjetër me qëllim të mbështetjes së tyre për amendamentet kushtetuese për vetingut në sistemin e drejtësisë. Duke marrë parasysh se grupet parlamentare në Kuvend e kanë pasur edhe në fushatën zgjedhore vetingun në sistemin e drejtësisë, unë besoj që si qeveri do të marrim mbështetjen edhe të opozitës, planifikohet që i gjithë ky proces të nis në vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda periudhës pesë vjeçare”, tha Haxhiu.
Vetingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Për realizimin e këtij procesi, ekzistojnë dy propozime, njëri përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe tjetri, me ligjet ekzistuese. Për të parën është e domosdoshme shumica parlamentare ose dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë.



