Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Motivacioni i dekoratës së dorëzuar sot nga Kreu i Shtetit ishte “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.
Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta e cilësoi të jashtëzakonshëm kontributin e tij për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
“Është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka.
Me veprimtarinë e profesor Cekës janë të lidhura krijimi i Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe i kompleksit monumental antik të Selcës së Poshtme, krijimi i muzeve arkeologjike në Apolloni, Fier e Tiranë, ekspozitat ndërkombëtare arkeologjike në Hildesheim, Mynih e Romë, botime të rreth 15 librave e katalogëve mbi arkeologjinë e Shqipërisë, si dhe shumë kontribute të tjera, të vlerësuara, brenda dhe jashtë vendit”, shprehet Meta.
Profesor Neritan Ceka është po aq i njohur edhe si politikan i një lloji të veçantë, si për kontributin e tij të vazhdueshëm në formimin e shtetit demokratik, që nga Lëvizja Demokratike e dhjetorit ‘90, por edhe nga profili i tij i karakterizuar nga serioziteti, ndershmëria dhe përkushtimi qytetar.
Profesor Ceka do të kujtohet përherë, në rolin e tij të rëndësishëm, si pjesëmarrës aktiv në formimin e Partisë Demokratike, si partia e parë opozitare si dhe nënkryetar i saj, si deputeti i parë i opozitës, që hyri në parlamentin e parë pluralist, si kryetar i grupit parlamentar të PD më 1991, një nga grupet më mbresëlënëse të deputetëve, për sa i takon cilësisë dhe që na mungojnë edhe në ditët e sotme.
Po ashtu, do të kujtohet si bashkëthemelues i partisë Aleanca Demokratike, si një nga lëvizjet më qytetare dhe europianiste në politikën shqiptare, si ministër i brendshëm i periudhës më të vështirë për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë në vitet 1997-1998, por edhe si kryetar i komisionit për Rendin dhe Shërbimin Inteligjent për gati 8 vite.



