
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shpreh mbështetjen pa rezerva të Shqipërisë, për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Kjo deklaratë e tij, u dha në ditën e dytë të ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel, ku ministrat e vendeve të NATO-s u takuan me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borell dhe ministrat e Mbrojtjes së Suedisë, Finlandës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Ministri Peleshi, solli në vëmendje se Shqipëria vazhdimisht e ka parë bashkëpunimin NATO-BE si një nxitës kryesor në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë dhe më gjerë.
“Ky bashkëpunim bëhet edhe më vital ndërsa përpiqemi të parandalojmë krizën aktuale në Ukrainë, e cila mund të ketë implikime për të gjithë kontinentin evropian”, deklaroi Peleshi.
Më tej, ministri theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për të qetësuar situatën atje e cila mund të përshkallëzohet edhe më tej. Edhe në këtë sesion ministri Peleshi përsëriti qëndrimin e vendit tonë mbi krizën në Ukrainë, duke ofruar mbështetjen për popullin, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit dhe unifikimit të qëndrimeve dhe veprimeve ndërmjet NATO-BE dhe partnerëve të tjerë në këtë çështje.
Në takimin e ministrave të Aleancës me ministrat e Mbrojtjes së Gjeorgjisë dhe Ukrainës u diskutua rreth zbatimit të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga të dy vendet, drejt rrugës së anëtarësimit në NATO.



