Avokati Idajet Beqiri tha në emisionin “Arnautistan” se ai personalisht ka përgjithësisht besim te SPAK, por anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kanë frikë më shumë nga politika se sa nga grupet kriminale.
Duke folur për tragjedinë e Gërdecit, Beqiri e konsideroi një krim shtetëror për përfitime familjare. Sipas Beqirit shënimi “për Shkëlzen Berishën” në shkresën për Aldo Bumçin është i Viktor Gumit.
Ajo hapje që u bë në fillim ishte një hapje për ta varrosur si proces. Kështu u bë edhe për floririn e Kërrabës. Pasi e vodhën pushtetarët, futën 4 fshatarë që morën 2 qese me flori, kurse 24 arka i morën ata dhe u varros. Edhe për Gërdecin u hetuan kapterët, por gjeneralët nuk u morën. Edhe për 21 janarin duhet të ishin të tjerë të akuzuar. Gardisti mori urdhër nga dikush. Ata që e organizuan, dolën pa lagur. SPAK-u po i heton të tëra këto. Përgjithësisht kam besim te SPAK-u, jo plotësisht. Nja 8 prej tyre nga 18 që janë kanë kockë, edhe përgjegjshmëri për detyrën që kanë. Kryetari i sapo zgjedhur është njëshi sipas vlerësimit tim. Që të punosh në sistemin e drejtësisë, e para duhet të jetë profesionalisht shumë i aftë. E dyta duhet të kesh zemër, çka do të thotë guxim, për ta çuar çështjen deri në fund. Anëtarët e SPAK-ut më shumë kanë frikë nga politikanët se sa nga grupet kriminale. Te ne grupet kriminale sado të rrezikshme kanë qenë prokurorët s’e kanë pasur problem. Një pjesë e organizatave kriminale i komandon politika dhe t’i hedh në kurriz kur të duash”.
Mbi Gërdecin, Beqiri tha:
Është bërë mirë që u nda çështja. Në gjyq shkoi sot Mediu për “shpërdorim detyre” si pjesë e procesit të parë. Realisht kaq është përgjegjësia e Mediut nga provat që kam parë. Ndërsa pjesa tjetër e korrupsionit shtetëror që solli edhe pasojat, lidhet me tjetër gjë. Është një krim i organizuar, me organizim të përsosur, një krim shtetëror për përfitime familjare. Ishte një biznes i demontimit të armëve, që fitimi ishte 10 miliardë dollarë. U gjet si do ndërtohet një bazë ligjore se si do ta marrim këtë fitim. Bazën ligjore e ndërtojnë kokat juridike. U afrua Oerd Bylykbashi, Viktor Guma. Atë kohë e dinim se çfarë fuqie kishte Berisha. Ridvan Bode kundërshtoi ashpër. Pa që po jepej pa asnjë lloj konkurrimi se kush do ta merrte demontimin. Po u jepej shoqërive private. Shoqëritë private i zgjodhi si deshi Shkëlzen Berisha. Kur e pa që pati rezistencë në Këshillin e Ministrave. Aldo Bumçi në vend të ishte bllokada e vendimit, ai dha siglën, të kalojë se është e ligjshme. Pse është e kundërligjshme, e para s’duheshin futur shoqëri private. E dyta po bëre demontim armësh, nga vendi ku është shtëpia duhet të jetë 20 km larg nga vendbanimi. Ndalohen të futen fëmijë, gra etj. Po e hoqe barutin duhet ta fusësh në arka speciale. Këta e kishin hedhur në tokë. Ishte e pritshme ajo që ndodhi. Në kohën që do merrej licenca Shkëlzen Berisha shkon 5 herë te ministri i Mbrojtjes, 3 herë te ministri i Drejtësisë. Mediu s’ka qenë pjesë e atij korrupsioni, s’e ka lënë Shkëlzeni. Ju e patë atë shënimin ‘për Shkëlzen Berishën’, që e mohoi Aldo Bumçi. S’është falsifikim atë e ka bërë Viktor Guma. Është çuar në ekspertim dhe ka dalë e tija, SPAK-u ta ketë në konsideratë”.
Luan Hoxha për këtë shkak u arratis nga Shqipëria. Ai duhet të flas siç po flas unë. Ai me këtë s’do jetë pajtuar kurrë derisa kërkoi të arratisej nga Shqipëria. Më thonë që SPAK ka dërguar letër-porosi në Amerikë që ta pyesin edhe ka ardhur përgjigjja që s’e gjejmë. Ai është i detyruar të dëshmojë. S’ka nevojë të vijë këtu, ai pyetet edhe atje me letër-porosi.



