
Shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Mass, ka ardhur sot në Kosovë në një vizitë zyrtare, Aktualisht ministri i jashtëm është në takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin. Megjithatë Mass në llogarinë e tij zyrtare në “tëitter” ka publikuar edhe arsyen se pse gjendet sot në Prishtinë dhe pse do të vizitojë edhe Beogradit nesër.
Siç shkruan kryediplomati gjerman, e gjithë kjo vizitë ndërlidhet me çështjen e procesit të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor.
“Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit në BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër virusit. Kjo është arsyeja pse unë jam në Prishtinë dhe Beograd sot dhe nesër”, ka shkruar Mass në "Twitter".
Aktualisht, Kosova është vendi me progresin më të dobët sa i përket vaksinimit, me vetëm 24 mijë dozat e marra nga programi COVAX.
Kryediplomati gjerman pritet ta takojë edhe shefin e qeverisë, Albin Kurti dhe do të zhvillojë më pas edhe takimin me homolegen e tij Donika Gërvalla.
Maas, pritet të bisedojë me krerët e institucioneve të Kosovës, edhe lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.



