
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë të ditur se ka takuar sot ministrin për Evropën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Austrisë , Michael Linhart.
“I shpreha mirënjohjen për mbështetjen e çmuar dhe të kahershme të Austrisë për Shqipërinë, e në veçanti në përpjekjen tonë historike për integrimin në Bashkimin Evropian”, shkruan Basha në rrjete sociale.
Kryedemokrati bëri me dije gjithashtu se ka ndarë me ministrin “prioritetet e Partisë Demokratike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin, që për shumë gjatë e kanë penguar dhe vonuar rrugëtimin tonë drejt BE-së”.
“Jam i lumtur që me ministrin dhe përfaqësuesin e simotrës tonë Partisë Popullore të Austrisë, bashkëndajmë bindjen se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme për rajonin”.
Basha specifikoi gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet prioritet absolut i Partisë Demokratike, si garanci për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët shqiptarë.



