
Ikja e të rinjve në masë nga Kosova, duket se është bërë tashmë dukuri, për çka ka nxitur deputetët e Parlamentit të Kosovës, të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë shkak.
Në seancën e sotme, partia LDK, ka kërkuar që të nxirret një rezolutë për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve në Kosovë. Fidan Rekaliu nga LDK-ja, iniciator i kësaj seance, e quaji të dhimbshëm faktin e ikjes së të rinjve nga Kosova, por jo vetëm të tyre. Ai përmendi edhe ikjen e njerëzve profesionistë, duke marrë shembull mjekët. Rekaliu propozoi edhe një rezolutë për mbrojtje të të rinjve. “… Po largohen mjekë e inxhinierë, jo pse nuk e kanë të siguruar jetën financiare, por sepse institucionet nuk sigurojnë mbrojtje shëndetësore e as siguri për fëmijët e tyre. Nga statistikat e fundit del se të rinjtë e Kosovës prijnë për të ikur nga vendi. Pavarësisht vrapit për të krahasuar vitet 2014-15, pavarësisht nxjerrjes së statistikave, nga Kosova po largohen qytetarë të moshave të ndryshme. Kosovës po i ikë rinia”, tha Rakaliu.
Ai ka kërkuar që të merren hapa konkretë për punësimin e të rinjve. Rakaliu tha se në punësimet në sektorin publik duhet të heqin dorë nga punësime familjare e partiake. “Zbrazja e Kosovës është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë vendit. Kërkoj që ta propozojnë një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj , teksa ka folur për seancën e Kuvendit ku u diskutua për këtë temë, ai ka komentuar edhe rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. “Është mirë që diskutohet për këtë temë, nuk e di çka kanë propozu si rezolutë por çdo vendim që del për qeverinë do ta zbatojmë atë që e parashah paralementi. E mirëpres dhe e vlerësoj mbajtjen e seancës se nuk mujta me ju bashku por megjithatë them që çdo rekomandim që del e shqyrojmë”, thotë i pari i Qeverisë.
Por Haradinaj, thotë se për ata që nuk kanë një vend të punës në Kosovë, vendet si Gjermania janë zgjidhje e mirë për ta. I pari i Qeverisë u shpreh se të gjithë ata që shkojnë me viza të punës në vende të Evropës do të kthehen, e se para ambasadave ka 10 vite që pritet.



