Analisti Mentor Nazarko, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e cilësoi si një përpjekje për të krijuar një skenar të ri tentativën e protestuesve të Partisë Demokratike për t’i vënë flakën Vilës 31.
Sipas tij, kjo lëvizje synon të imitojë modele protestash të ashtuquajtura të “gjeneratës Z” në vende të tjera, si Bangladesh.
Nazarko tha se përdorimi i flakëve dhe molotovëve në drejtim të institucioneve nuk po prodhonte më efekt të ri, ndaj u tentua një akt simbolik si Vila 31, duke e konsideruar këtë si pjesë të një strategjie të menduar nga opozita.
U tentua të prodhohej diçka e re me flakë dhe molotovë, pasi te Kryeministria nuk po prodhonin diçka të re. Nga fjalët e Berishës u tha se ishte e planifikuar nga PD, sepse ai deklaroi se ‘ne nuk e dinim’. Ajo ndërtesë është inauguruar nga Macron dhe nuk besoj se Berisha nuk e ka ditur.
Analisti shtoi se retorika e liderit të opozitës ka synuar të krijojë presion dhe frikë politike ndaj kryeministrit Rama, duke përmendur edhe deklaratat për mobilizim të shpejtë të mbështetësve drejt Surrelit.
Ka dashur të ndërtojë një lëvizje paralele të gjeneratës Z si në Bangladesh, pra që sulmohen selitë. Ndaj edhe e kërcënoi Ramën se për 25 minuta i çonte njerëzit në Surrel. Ai do që t’i krijojë një frikë Ramës me këto lëvizjet nëpër botë.
Sipas tij, qëllimi final i Sali Berisha është arritja e një ndërhyrjeje ndërkombëtare për negociata mes tij dhe qeverisë, në një skenar të ngjashëm me atë të vitit 2017, kur Lulzim Basha ngriti çadrën e protestës përballë Kryeministrisë.
Unë besoj se ai kërkon të arrijë që pas këtyre të ndërhyjë një negociator ndërkombëtar si në kohën e Bashës, në kohën e çadrës.



