Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, duke penguar zhvillimin normal të seancës së fundit plenare për këtë sesion.
Pas tensioneve në sallë, mazhoranca miratoi rendin e ditës pa debat dhe vetëm me votat e saj. Më pas, deputetët e opozitës u larguan nga seanca, ndërsa në sallë mbetën vetëm deputetët Gazment Bardhi dhe Tomor Alizoti. Pas miratimit të rendit të ditës, kryetarja e seancës shpalli mbylljen e saj.
Ndërkohë, jashtë Parlamentit, protestuesit vijuan qëndresën. Ata kanë marrë me vete edhe vezë, duke paralajmëruar se synojnë t’i hedhin në drejtim të deputetëve në momentin që ata të dalin nga godina e Kuvendit.
Në rendin e ditës së seancës ishin parashikuar miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme, disa projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë dhe të pavarura për vitin 2025, interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe shqyrtimi i një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh.
Kjo ishte seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.



