
Gjashtë muajt e radhës do të shohin në presidencën e Bashkimit Evropian një vend ballkanik si Sllovenia, mes polemikave me Brukselin dhe sfidës së hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut apo edhe përballimit të pandemisë së Covid-19.
Ngërçi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, është sigurisht një nga sfidat më të mëdha të gjashtë muajve sllovene në kryesim të unionit.
Portugalia, nuk arriti që të bindte Bullgarinë për heqjes e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Rrjedhimit, u bllokua procesi edhe për Shqipërinë.
Kryeministri slloven, Janez Jansa, ka garantuar se gjatë gjashtë muajve të tij në krye të BE-së, heqja e vetos do të arrihet. Pra, do të zhbllokohet procesi i integrimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mirëpo, kjo presidencë, vjen në një periudhë jo të mirë për raportet Ljubjana-Bruksel.
Një tjetër prioritet do të jetë ai i përballimit të Covid-19. Këtu, nuk bëhet fjalë tashmë vetëm për procesin e vaksinimit, me ritme të mira muajt e fundit, por edhe për rimëkëmbjen ekonomike.
Çështje, si raportet me Britaninë e Madhe apo paketat financiare të emetuara duhet të trajtohen nga sllovenët.
Përtej kësaj, ajo çfarë i intereson Ballkanit, është pikërisht roli që një vend ballkanik, do të ketë në zgjidhjen e ngërçit të krijuar nga një vend sërish ballkanik.



