Debati mes kreut të shtetit dhe atij të maxhorancës është zhvendosur nga hapësira virtuale në deklaratat publike. Pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, kryesocialisti Rama tha se problemi më i madh që qëndron mes shqiptarëve dhe të ardhmes është Ilir Meta dhe partia e tij.
“Problemi i madh mes shqiptarëve dhe të ardhmes quhet Ilir Meta dhe LSI”, ndërsa shtoi se zgjedhjet e 25 prillit duhet dhe do t’i japin zgjidhje këtij problemi.
I pyetur se pse nuk i publikon videot që kërkon Meta, Rama tha: “Unë me kinostudion e kam mbyllur që kur u hap rruga për të parë filmat që prodhon bota. Mikrostudion e filmimeve në trurin e Ilir Metës e ka Ilir Meta, nuk e kam unë. Nuk merrem me video dhe gomarllëqe të këtij niveli. Iliri është bërë kopja e vetme, që ka lënë pas origjinalin”.
Kreu i shtetit zgjodhi të kundërpërgjigjet me një postim në rrjetet sociale. Duke iu drejtuar kryeministrit, por pa përmendur emër, Meta shprehet se do të jetë rivali i tij gjithmonë.
“O shakaxhinjtë e integrimit! Unë nuk bëj aktrime me historinë e kombit tim dhe familjes time! As politikë për vota o palaço dhe të pa Atdhe! Unë kam lindur në Çepan, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe u jam shumë mirënjohës prindërve të mi. O ordinerë, shtëpia ku linda unë në 24 mars 1969 ishte spital partizan për Jugun e Shqipërisë. Në këtë shtëpi erdhën dhjetëra partizanë, pa këmbë e pa krahë. Në themelet e kësaj shtëpie edhe sot është gjaku i tyre. Unë isha ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, por kurrë nuk e vura në diskutim gjakun e tyre. Se gjaku nuk bëhet ujë o hajdutë ordinerë! Jam Ilir Meta dhe përballë do më keni gjithmonë!”, shkruan ai.



