Shoqata maqedonase "Ilinden"-Tiranë del kundër një deklarate të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë takimit me ministren bullgare të Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, në Sofje. Gjatë këtij takimi, Cakaj është shprehur se "pakica etnike bullgare në Shqipëri shërben si urë lidhëse midis dy popujve", duke aluduar se në Shqipëri jeton pakicë bullgare.
“Shoqata Maqedonase "Ilinden"- Tiranë i kujton z. Gent Cakaj se në Shqipëri dhe në rajonet ku jeton komuniteti maqedonas dhe ku Bullgaria kërkon bullgarë, deri më tani zyrtarisht nuk ka asnjë "bullgar", dhe se është e pasaktë që ministri i Shqipërisë të poshtërojë dhe nënvlerësojë maqedonasit duke i quajtur qëllimisht "bullgarë"”, thuhet në njoftim.
Sipas shoqatës në fjalë, në marrëdhëniet midis Sofjes dhe Tiranës, shpikja e bullgarëve në Shqipëri u bë me shantazhe për hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Ilinden” shton se deri në vitin 2017, në asnjë regjistrim zyrtar ose dokument të Shqipërisë nuk kishte dhe nuk ka bullgarë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Shoqata maqedonase "Ilinden" -Tiranë nuk e konteston asistencën që Bullgaria i jep Shqipërisë përmes fondeve të saj dhe fondeve të Bashkimit Evropian, por proteston me forcë sepse Sofja e bën në zonat ku jetojnë maqedonasit dhe i paraqet projektet si ndihmë për "Minoriteti Bullgar" në Shqipëri, bashkitë dhe fshatrat ku jetojnë maqedonasit i quhan si "fshatra dhe komuna Bullgare në Shqipëri"”, thuhet më tej në deklaratë.



