
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë që kërkuar "arrest me burg" për, Albert Veliun, dëshmitarin X i audiopërgjimit ku u aludua se implikon vëllanë e ministrit të Brendshëm.
Kreu i PD-së me anë të një postimi në "Twitter", shprehet se me këtë vendim që ishte i pritshëm, Rama i ka vënë flakën i ka vënë zjarrin shtetit ligjor.
“Kush priste dicka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim”, shkruan Basha.

Menjëherë më pas vjen dhe postimi i dytë ku kryetari i PD-se shkruan se me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor dhe bën thirrje për rrëzimin me çdo mjet të mafias në pushtet.
"Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet."

Ndërsa kryeministri, Edi Rama, e cilëson masën e arrestit të lëshuar nga gjykata për protagonistët e audio-përgjimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj, e njohur si dosja"Babale", si fillimin e drejtësisë.
Në një postim në twitter, Rama thotë se audiopërgjimi ishte një maskaradë e orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë.
Por për kreun e qeverisë, pas mjeranëve të paguar për t'u përgjuar, qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi, të cilët sipas tij duhet të paguajnë deri në fund.
"Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë! Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund", shkruan Rama




