Një pretendim i shpërndarë fillimisht në rrjete sociale nga një aktivist politik në Gjirokastër, e më pas i amplifikuar nga disa portale online, ka shkaktuar debat publik lidhur me kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Sipas këtyre pretendimeve të pakonfirmuara, është aluduar për një gjendje shëndetësore të rëndë, sida dhe për raste të supozuara infektimi brenda administratës së bashkisë. Këto pretendime janë përhapur pa dokumentacion zyrtar dhe pa verifikim nga institucionet shëndetësore.
Avokati i kryebashkiakut, Arben Llangozi, në emisionin 'Të Paekspozuarit' në MCN TV i ka hedhur poshtë këto deklarime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të dëmshme për reputacionin e klientit të tij.
Lajmi është i pavërtetë dhe i shpifur. Analizat mjekësore e përgënjeshtrojnë plotësisht pretendimin se kryebashkiaku është i infektuar. Dokumentacioni shëndetësor është përdorur për të rrëzuar këtë narrativë të gabuar që është përhapur në mënyrë të papërgjegjshme në rrjete sociale dhe disa media.
Ai shtoi se ndaj rastit janë ndërmarrë edhe hapa ligjorë.
Ne i jemi drejtuar Policisë, e cila ka sekuestruar telefonin dhe ka bërë këqyrjen e rrjeteve sociale. Kemi njoftuar edhe Prokurorinë për këtë çështje, si dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit.
Këto janë masat që kemi marrë sepse janë publikuar të dhëna personale, dhe kjo ka të bëjë me diskriminim. Mendoj se interesat për të krijuar këtë rast janë politike. Dyshoj se vjen nga aktorë politikë për të dëmtuar imazhin, dhe gabimi është se nuk është goditur vetëm një individ, por janë implikuar një numër i madh personash.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, personi që ka shpërndarë informacionin mund të jetë proceduar penalisht.
Mendoj se ka dalë edhe njoftim për shtyp ku ky shtetas është proceduar për veprën penale të mashtrimit, sepse të thuash se ka epidemi është një deklarim shumë i rëndë. Kjo përbën vepër penale.
Sipas tij, publikimi i informacionit të pavërtetë ka krijuar shqetësim të panevojshëm publik, ndërsa theksohet se pretendimet fillestare nuk janë mbështetur në dokumente zyrtare apo burime të verifikuara.



