
Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, në një dalje publike kërkoi sot që të mos preket buxheti për arsimin, në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve në kushtet e krizës energjetike. Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se me anë të një akti normativ, mes të tjerash, qeveria Rama ka shkurtuar me 15 milionë dollarë buxhetin për arsimin, çka i redukton shpenzimet në të tre nivelet e tij.
Kjo qeveri që nuk rresht së paguari inceneratorët dhe bosët e tyre në arrati, u heq paratë nga shkollimi fëmijëve, të rinjve dhe studentëve.
Për sektorin e arsimit, qeveria ka parashikuar:
Shkurtimet përfshijnë Ministrinë e Arsimit, me mbi 15 milionë dollarë ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar.
Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5%, ose 600 milionë lekë.
Fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3% ose 278 milionë lekë”.
Xhixho tha se arsimi është i vetmi sektor që nuk mundet kurrsesi të sakrifikohet, në emër të lehtësimit të çfarëdolloj krize.
Shkurtimi i fondeve në arsim është dëmtim me vetëdije i së ardhmes. Buxheti i arsimit është në masë të konsiderueshme më i ulëti dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tani cungohet akoma më tej përmes aktit të fundit normativ të qeverisë Rama. Ky shkurtim ndodh ndërkohë që qeveria vazhdon të pasurohet në kurriz të qytetarëve që varfërohen, kur vetëm për 2 muajt e parë të vitit janë mbledhur 180 milion dollarë më shumë të ardhura, si pasojë e kontributit më të madh nga TVSH për shkak të rritjes së çmimeve.
Në fund të vitit të kaluar, LSI ka propzoaur një amendament me anë të të cilit kërkoi rritjen me 5 miliardë lekë të buxhetit për arsimin.
Kjo jo vetëm që nuk u bë, por arsimit i reduktohet buxheti në emër të krizës energjetike, e cila do të lehtësohej thjesht me anulimin e një koncesioni apo ndalimin e pagesave për inceneratorët që as nuk ekzistojnë.
Sipas Xhixhos, ky akt normativ që prek buxhetin e arsimit tregon qartë se qeveria:
1. Nuk e ka pasur kurrë prioritet këtë sektor, as të rinjtë që sot janë detyruar të largohen nga vendi për mungesën e shpresës dhe punësimit.
2.Edhe një herë, qeveria tregoi se nuk sakrifikon të vetët, por zgjedh të sakrifikojë të ardhmen e fëmijëve tanë.



