
Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë. Pas kësaj ambasadorja ka zhvilluar edhe një konferencë së bashku me kryeministrin Edi Rama, ku ka prezantuar gjetjet e Raportit të Zgjerimit 2026 për Shqipërinë, të miratuar një ditë më parë nga Komisioni Europian.
Gjatë fjalës së saj nga konferenca, ambasadorja u shpreh se Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit, duke theksuar se të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Megjithatë, ajo nënvizoi se vijimi i këtij procesi kërkon përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë. Mesazhi i raportit është i thjeshtë, Shqipëria ka ecur përpara. Të gjithë kapitujt janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur përkohësisht. Vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje.
Sa i përket drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporti evidenton përparim të mirë. Këto përpjekje duhet të vijojnë, pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale. Çdo reformë apo nismë e ardhshme ligjore duhet të mbështetet në reformën në drejtësi, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë të polarizuar, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike. Reforma zgjedhore është urgjente. Kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës që të shkojë përtej dy partive kryesore.



