Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me emetimin e Eurobondit me vlerë 650 milionë euro nga tregjet ndërkombëtare me interes 3.62%.
Në lidhje me këtë çështje kryeministri Edi Rama u shpreh më herët se është një arritje e madhe për vendin, por kjo gjë nuk shihet në të njëjtën mënyrë nga krydemokrati.
Basha shprehet në rrjetet sociale, se përmes Eurobondit Shqipërisë i është shtuar një borxh i ri. Ndërsa thekson se ky borxh do të rëndoj mbi të gjithë qytetarët shqiptarë.
Lideri i opozitës shton se kryeministri Rama duhet të largohet, pasi zhyti ekonominë në krizën më të thellë, mbylli bizneset si dhe largoi qytetarët nga Shqipëria.
Reagimi
Shqipëria e zhytur në borxhe kurse KM mburret se merr borxh të ri!!! Me nivel borxhi 74%, me detyrime të prapambetura 600 mln euro, me koncesione abuzive 2,2 mld euro dhe me krizën më të thellë ekonomike me rënie 9%, sot mburret se po i shton çdo shqiptari edhe një barrë të re! Ka ardhur koha për ta larguar RAMAVIRUSIN që e zhyti ekonominë në krizën më të thellë, që mbylli bizneset, shpunësoi e largoi shqiptarët. Ka ardhur koha për të parë përpara dhe për ta bërë Shqipërinë vend normal e të zhvilluar.
Më herët, kryeministri Edi Rama u shpreh në lidhje me përgjigjen e Eurobondit në lidhje me vlerën e 650 milionë eurove që do të kërkojë vendi ynë në tregjet ndërkombëtare, prej të cilës 250 milionë euro do të shkojnë për të financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, që ishte në vlerën e 450 milionë euro me normë interesi 5.75% dhe që i mbaron afati i shlyerjes në 12 nëntor 2020.
Sipas kreut të qeverisë, përgjigjja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj!
Në një reagim në Twitter, Rama shkruan se s’ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë kur vendi arrin këto rezultat spektakolare në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë.
Po ashtu kryeministri fton të gjithë kritikët që të krahasojnë përgjigjet dhe me vendet e tjera për Eurobond, duke ironizuar se me aritmetikën 7×7=42 Shqipëria prap e fundit del.



