Këtë të hënë dhe të martë, emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar, do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë.
Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, tha se Escobar dhe Lajçak këtë vizitë do e zhvillojnë për depërshkallëzimin e tensioneve në Veri.
Mund të konfirmoj se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd të hënën dhe të martën, së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, për të ndjekur thirrjet e nivelit më të lartë të BE-së për de-përshkallëzimin e tensioneve në veriun e Kosovës.
Vizita e tyre, sipas REL, do të ketë dy qëllime kryesore:
Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.
Në Moldavi, më 1 qershor, udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e të dy vendeve, Vjosa Osmanin dhe Aleksandar Vuçiçin.
Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.
Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.
Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se javën e ardhshme do të takohet me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar rreth mundësive për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të vendit.
Duhet të jemi të sigurt që të zbatohet marrëveshja e Brukselit e cila e ka njohjen de-facto. Për shtensionimm këta banditë, këta ekstremistë të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.
Dhe pastaj zgjedhje të hershme. BE-ja të jetë aktive në këtë dialog.
Javën tjetër, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Besoj në zgjedhjet e hershme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit dhe fushatë fer para zgjedhjeve.
Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.



