
Agron Gjekmarkaj, deputet i Partisë Demokratike ka mbajtur fjalimin e tij këtë të enjte në foltoren e Kuvendit, ndërsa e ka cilësuar programin qeverisës “Rama 3”, një broshurë e një manifest gënjeshtrash e "dokrra pa kokrra".
Deputeti Gjekmarkaj nuk nguroi të falënderonte votuesit e tij në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ironizoi zotimet e qeverisë, duke nxjerrë në duke edhe problematikat aktuale në të cilat sipas tij, gjendet vendi ynë. Një ndër to, ishte programi i arsimit në vend, që sipas Gjekmarkaj duhet të përsëritet.
“Fraza bombastike, patetike, naive, shëtisin në liridalje absolute si ushtarë çakerrqejf, të dalë nga mejhana e periferisë, në gjithë atë surrogato tekst apo manifest genjeshtarësh kronike - dokrra pa kokrra.
Përsëritje të programit të vitit 2009-2013 me enciklika papale të tepsisë e timonit të 2017, si një masë veshtullore petullash me ujë, tundur me arrogancë e përtese shëndetligu nga Kryeministri të cilit injoranca e krenaria i rrinë bashkë si shtati e hija.
Programi për arsimin flet për shkolla të reja, ndonëse 1/ 3 e tyre janë rrezik për shëndetin, 50% e tyre nuk kanë ujë të pishjëm, në tetë vite asnjë investim substancial për laboratorë, po nuk na thotë sa mijëra fëmije e kanë braktisur Shqipërine dhe kush i dëboi?. Na mburret se për arsimin parauniversitar vetëm do japim tekstet falas (një inisiativë e hershme kjo e grupit parlamentar të PD) dhe se do zhvillojmë arsimin professional”, është shprehur deputeti i PD.



