
Ndërsa Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme ligjin e ndryshuar për Teatrin Kombëtar, një grup artistësh janë mbledhur në protestë para Parlamentit. Ata kundërshtojnë ligjin e amenduar nga maxhoranca, pasi rikthimit në Parlament për rishqyrtim nga presidenti Meta. Artistët e konsiderojnë antikushtetues ligjin e ri, që sipas tyre synon të bëjë të mundur rrëmbimin e pronës publike dhe shembjen e Teatrit Kombëtar.
Opozita nuk do të jetë në seancën e sotme, pasi ka paralajmëruar se do të mblidhet në Vlorë.
Ndërsa pasditen e djeshme, një grup intelektualësh dhe artistësh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha.
Takimi është zhvilluar në selinë blu, ku në qendër të diskutimit ka qenë ligji për teatrin, do të shkojë për diskutim në seancën e së enjtes.
Dy ditë më parë, maxhoranca ka pranuar dekretin e Presidentit të Republikës në lidhje me ligjin që i hap rrugë prishjes së ndërtesës historike dhe ngritjes së një teatri të ri.
Dekreti për teatrin riktheu të martën në Kuvend edhe opozitën, e cila i ka bojkotuar seancat dhe mbledhjet e komisioneve në sesionin e ri parlamentar që nisi më 3 shtator.
Në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, demokratët thanë se ligji për Teatrin Kombëtar ka rënë dhe i quajtën arnime amendimet që maxhoranca po i bën atij.
Maxhoranca votoi nen për nen ndryshimet në ligjin për Teatrin Kombëtar si pjesë e pranimit të dekretit të Presidentit, ndërsa deputetët e opozitës e quajtën ligjin antikushtetues.
Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha se maxhoranca është e blerë nga paratë e kompanisë që synon të ndërtojë teatrin e ri.
Pranimi i dekretit të kreut të shtetit është bërë me disa ndryshime, ku më kryesori është në pikën që përcakton hapjen e garës edhe për subjekte të tjera, krahas kompanisë "Fusha".



