
Partia Demokratike ka reaguar për lirimin e grupit kriminal të Bajrave, duke deklaruar se regjimi i Edi Ramës i ka themelet tek krimi dhe se reforma në drejtësi ka dështuar, pasi është shndërruar në mburojë të grupeve kriminale në shërbim të pushtetit të kryeministrit.
Përmes një deklarate për mediat, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se lirimi i grupit kriminal të Bajrave, me të cilët Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet në Shkodër, konfirmoi para qytetarëve të vërtetën që ne e kemi thënë prej shumë kohësh, se kush është pjesë e grupeve kriminale, qeveria dhe drejtësia, nën diktatin e saj, bën gjithçka për ta shpëtuar.
“Kush proteston, kush mbron trashëgiminë kulturore, kush kërkon që Shqipëria të bëhet si Europa, kush kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave, kush kërkon të luftohet krimi dhe korrupsioni, kush denoncon Edi Ramën dhe bandën e tij si vegël të oligarkëve për të vjedhur Shqipërinë, goditet, tërhiqet zvarrë, burgoset”, tha Alibeaj.
Sipas tij, mes rinisë, artistëve dhe qytetarëve të ndershëm dhe bandës së tmerrshme të Bajrave, që njihet në zonën e Shkodrës për vrasje makabre, trafik droge dhe prostitucioni, Edi Rama zgjedh të jetë krah kriminelëve, t’i mbrojë ata, t’i lehtësojë nga akuzat dhe t’i lirojë nga burgu.
“Vetëm përmes tyre, Edi Rama mund të mbajë në këmbë pushtetin e tij të kalbur nga krimi, korrupsioni, nga paraja e zezë që e mban peng si kryeministrin e vetëm në Europë, i cili shkatërron trashëgiminë kulturore për të ngritur kulla betoni me oligarkët dhe grupet kriminale si ata që u liruan sot”, theksoi ai.
Ish-deputeti, në emër edhe të PD-së, deklaroi se kjo është një arsye më shumë për të protestuar, duke shtuar më tej se të mos e lëmë jetën në dorë të një regjimi që ka bërë pakt me krimin kundër qytetarëve.
Alibeaj tha se është në nderin e të gjithëve të jenë sot në sheshin e protestës, bashkë me artistët, me rininë, me opozitën.
“Partia Demokratike i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë të heqin dorë nga dhuna dhe presioni ndaj qytetarëve. Është e papranueshme që policia po sillet si një vegël e verbër politike duke mos lejuar qytetarët nga jashtë Tiranës të bashkohen me protestën e orës 17.30. Kushdo polic apo prokuror që, në vend të zbatimit të ligjit, zhytet në llumin e paligjshmërisë dhe korrupsionit të Edi Ramës, duhet të ketë të qartë se asgjë nuk do të harrohet”, citohet nga deklarata.



