Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë strategjike.
Deklarata e tij vjen teksa sot mbërrin në Tiranë në një vizitë zyrtare Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Në hyrje të seancës së sotme parlamentare, Basha tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria zor se bëhej anëtare e NATO-s dhe të fitonte privilegjet që s’i ka gëzuar kurrë si komb, të kombeve më të fuqishme të botës në krah të saj nëse sulmohet.
Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova zor se bëhej e pavarur, ose i rezistonte fushatës genocidale të Sllobodan Millosheviçit.
Po u kujtoj dy momente kulmore që i kujtojnë të gjithë, besoj dhe 18-vjeçarët përveç nesh. Pra marrëdhëniet strategjike nuk mund të futen në çorapet e pista të politikës të Tiranës.
Janë të tilla sepse transendojnë, kalojnë përtej personave, kalojnë përtej momenteve, kalojnë përtej se kush është në qeveri në atë moment e kush në opozitë.
Ndaj sot dua t’i uroj në emër të Partisë Demokratike mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit, Blinken dhe delegacionit të tij.
Ta siguroj se Partia Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor politik krenar dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe siç e ka provuar shpeshherë me një çmim të lartë të gatshëm për të mbrojtur parimet dhe standardet e kësaj aleance që nuk janë thjesht ushtarake apo të linjëzimit të politikës së jashtme së Shqipërisë me atë Amerikane.
Kjo është e mirëqenë, nuk ka qeveri shqiptare që të çedojë nga kjo, por ka të bëjë me një mesazh nga një tjetër sekretar shteti i ardhur si sot tetë vite më parë, nga sekretari Kerry, i cili e tha qartë se kërcënimi më i madh ndaj partneritetit strategjik, ndaj aleancës së vlerave që përfaqëson edhe aleanca jonë me SHBA, edhe NATO, edhe BE vjen pikërisht nga autokratë të cilët kufizojnë hapësirat e lirisë, manipulojnë zgjedhjet, vendosin nën presion gjykatat, krijojnë pandëshkueshmëri dhe kulturë korrupsioni, godasin median e lirë dhe kufizojnë hapësirën opozitare.



