
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të intensifikuar bashkëpunimin.\
Ky memorandum bëhet në kuadër të avancimit të kapaciteteve të KQZ-së për të kryer punën në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe standardet ndërkombëtare, ka bërë të ditur kreu i Prezencës, Ambasadori Vincenzo Del Monaco.
Ky dokument është një simbol i një bashkëpunimi të fortë dhe të vazhdueshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë të Prezencës dhe mbështetja ndaj saj ka qenë ndër prioritetet tona kryesore.
Ai ka vijuar duke thënë se një administratë zgjedhore e paanshme, e kapaciteteve dhe e pajisur mirë është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore.
Prezenca është e gatshme të ndihmojë KQZ-në në përballimin e çdo sfide për përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore 2023.
Ambasadori Del Monaco ka theksuar se Prezenca vlerëson rifillimin e aktivitetit të komisionit parlamentar ad hoc për Reformën Zgjedhore dhe e ka inkurajuar atë të adresojë rekomandimet e pazgjidhura të OSBE/ODIHR përmes një procesi të konsultuar gjerësisht.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka falënderuar ambasadorin për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj KQZ-së.
Ne kemi hyrë në një fazë të rëndësishme në marrëdhëniet institucionale mes KQZ-së dhe Prezencës së OSBE-së dhe MM-ja e sotme dëshmon për bashkëpunimin tonë dypalësh të deritanishëm.
Zgjedhjet për pushtetin vendor janë shumë afër, sipas Celibashit, ndaj mbështetja e Prezencës së OSBE-së, si një nga partnerët kryesorë, ka një rol në administrimin e procesit zgjedhor.
Marrëveshja e nënshkruar krijon një bazë të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe.
Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; rritja e ekspertizës për administrimin e zgjedhjeve dhe bashkimin e forcave në lehtësimin e bashkërendimit të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore.



